Monday, March 20, 2017


 







Tema: Diferencat në komunikimin verbal dhe joverbal mes  meshkujve dhe femrave












          Aftësia për të komunikuar është është lehtësia më e madhe që ne kemi gjatë një marrëdhënieje, personale, pune, apo çfarëdolloj tjetër. Ata që kanë aftësi shumë të mirë komunikimi kanë marëdhënie më të mira shoqërore. Çiftet martesore që njihen si komunikes të aftë kanë marrëdhënie më të lumtura se ata që nuk i kanë këto karakteristika (Kirchler, E, 1998: 375-382). Këto familje  rrisin fëmijë të cilët janë të aftë në shoqëri dhe kanë tendencën për të qenë më të sukseshëm në karrierën e tyre. Mesatarja e notave të nxënësve të kolegjit, ndikohet pozitivisht nga aftësia e tyre komunikuese.(Rubin, B & Graham, E, (1998: 14-17)  .
          Studiesit e antropologjisë, të psikologjisë, kanë vënë re se meshkujt dhe femrat mendojnë ndryshme flasin ndryshe dhe vendosin ndryshe.
Meshkujt dhe femrat mendojnë në mënyra të ndryshme
Meshkujt mendojnë me njësi të pjesëzuara, ndërsa femrat mendojnë në mënyrë të përgjithshme-globale. Meshkujt dhe femrat e grumbullojnë informacionin në bankën e e tyre të memorjes në mënyrë shumë të ndryshme. Meshkujt kanë tendencën t’i ndajnë detajet dhe t’i ruajnë ato në dosje të ndryshme, si një dollap me sirtarë të veçantë. Kjo u jep atyre mundësinë që kur flasin të hapin apo të mbyllin sirtarët që u duhen për një bisedë të caktuar, duke qëndruar ekskluzivisht në atë çështje, pa e ngatëruar atë me asnjë detaj apo problem të një “sirtari” tjetër.


Femrat në anën tjetër, kanë tendencën të bëjnë të kudnërtën dhe t’i lidhin gjërat me njëra- tjetrën, duke e parë jetën në mënyrë më globaliste. Femrat shohin se si detajet dhe ngjarjet lidhen dhe kanë korrelacion me njëra - tjetrën.
 Shembuj:                                                            
          Ndodh shpesh që gratë u kërkojnë burrave që ndërsa kthehen nga puna të blejnë këtë apo këtë gjë që mungon në shtëpi, dhe në pjesën më të madhe të rasteve ata kthehen me duar bosh, me shprehjen “më doli nga mendja”. Kjo ndodh sepse mendja e tij ishte e përqëndruar në “sirtarin” e punës, i përqëdruar krejtësisht sesi ta bëjë punën më mirë, dhe në atë çast nuk ekziston asgjë tjetër veç punës së tij. E njëjta gjë ndodh kur femrat u flasin partnerëve të tyre për një çështje tepër të rëndëishme, ndërkohë që ai është duke parë një ndeshje futbolli, apo një film në ekran. Gjëtë kësaj kohe sensi i tij i të përthithurit është zero. Është e kotë të harxhosh fjalën, sepse meshkujt gjatë kohës që janë të përqëndruar diku nuk dëgjojnë se çfarë u thua.                                                                                   
 Ndërkohë një tjetër problem hasin burrat me gratë e tyre, kur gjatë një zënke të zakonshme, kur gratë nxjerrin në bisedë e sipër ndodhi që kanë ndodhur muaj të shkuar. Në këtë çast meshkujt pyesin veten me habi: “Po ç’lidhje kanë këto dy gjëra me njëra-tjetrën?” Të dyja mënyrat e të menduarit, e pjesëzuara dhe globlistja janë mënyra shumë të mira të menduari, që kanë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Por kur vihen bashkë, sidomos në një martesë çështja bëhet e komplikuar.

          Pas një zënke në mëngjes me gruan, një burrë shkon në punë, dhe është në gjendje të të mbyllë sirtarin “grua” dhe të hapë sirtarin “punë” duke i lënë pas shpine gjithë problemet e mëngjesit. Kur kthehet në shtëpi ai pret të gjejë ngrohtësi dhe përballet me vështimin e ftohtë të bashkëshortes e cila i gjatë gjithë ditës ka menduar e rimenduar për zënkën e mëngjesit dhe me ardhjen e tij në shtëpi i përplas gjithë ankthin e mendimeve të saj si dhe gjithë problemet e ditës që ajo ka pasur nga mëngjesi deri në atë çast.
 
Meshkujt dhe femrat flasin në mënyra të ndryshme.
Meshkujt flasin me shprehje të shkurtra, me shumë pak ose aspak detaje, ndërsa femrat flasin shumë, gjatë dhe gjatë ligjërimit të tyre përdorin shumë detaje lidhur me një histori të caktuar. Kjo nuk do të thotë se meshkujt nuk janë të interesuar për detajet, sepse zakonisht ata i duan shumë hollësitë, por vetëm pasi të kenë marrë përgjigjen përfundimtare për pyetjen që kanë bërë. Ndërsa femrat nuk e duan përgjigjen kulmuese që në fillim, atyre u pëlqen pak pritja dhe gjendja e pezullit derisa të arrijnë në thelbin e çështjes. Për të pasur komunikim të suksesshëm në punë apo në jetën personale duhet ndryshuar qasja ndaj partnerëve të ndryshëm.
 Sipas studimeve, vlerësoset se, mesatarisht meshkujt flasin12.500 fjalë në ditë, ndërsa femrat flasin25.50 fjalë në ditë. Prej  këtej ka ardhur edhe shakaja: Burrat shkojnë në punë dhe përdorin atje 12.945 fjalë dhe u mbeten vetëm pesë fjalë për në shtëpi: “Çfarë ka për darkë?” dhe “Natën e mirë”. Meshkujt komunikojnë me qëllimin për të raportuar një fakt, dhe e bëjnë këtë në mënyrë lakonike. Femrat komunikojnë duke ndërtuar raporte. Nëse një grua pyet burrin e saj pasi është kthyer në shtëpi: “Si kalove?”, përgjigja e tij është e thjeshtë: “Mirë”. Nëse burri pyet gruan se si kalove sot? Ajo me dëshirë nis i shpalos gjithë aktivitetin ditor.  ç

          Meshkujt dhe femrat kanë një komunikim verbal të ndryshëm nga njëri-tjetri, por jo vetëm kaq. edhe komunikimi i tyre joverbal është i ndryshëm. Në përgjithësi femrat kanë tendencë të përdorin më shumë kounikimin joverbal, dhe zakonisht femrat janë më të kujdeshme ta shohin këtë lloj komunikimi tek të tjerët.
Disa nga diferencat:
Shikimi në sy
Burrat kanë tendencën për të parë në sytë e  personit me të cilin janë duke folur, ndërsa gratë kanë më shumë gjasa për të parë në sytë atij që është duke folur.     Gratë kanë më pak gjasa për të parë direkt në sytë e një partneri gjatë bisedës, pjesërisht sepse ato kanë vështrim më të gjerë periferik se sa burrat. Gratë kanë kontakt më të zgjatur me të zgjatur me sy për të treguar dashur, interes seksual apo romantik më shpesh se burrat dhe gratë janë gjithashtu më e vëmendshme për të "lexuar" sytë e të tjerëve.

Shprehjet e fytyrës

Femrat priren të buzëqeshin  më shumë se meshkujt. Në fakt, gratë priren të përdorin shprehjet e fytyrës për të shprehur ndjenjat e tyre dhe qëllimet e tyre shumë më tepër sesa burrat. Për shkak se ato janë më me përvojë se burrat në përdorimin e shprehjeve të fytyrës për komunikim, mesazhet që ato dërgojnë priren të jenë më delikate dhe të sofistikuara se sa mesazhet e dërguara nga burrat dhe gjithashtu gratë janë më të afta në interpretimin e shprehjeve të fytyrës së të tjerëve.

Gjestet dhe sjellja
Gratë kanë më shumë gjasa sesa burrat që të shfrytëzojnë  gjestet  dhe mënyrat "e ngrohta" si për shembull afrimi drejt drejt partnerit të tyre në bisedë. Autori Jo Freeman vëren re se gratë kanë tendencë për të ulur sytë e tyre dhe të shfrytëzojnë  sjelljen e "ndrojtjes" kur përballen me sjellje agresive të tilla si “ndërprerje në mes bisedës”. Femrat gjithashtu priren të përdorin më pak gjeste dhe më janë më të përmbajtura se meshkujt. Burrat kanë tendencë të mbështeten në gjeste të qarta, të tilla si "duke folur me duart e tyre" në kurriz të formave më delikate të gjuhës së trupit , të tilla si shprehjet e fytyrës, të preferuara më shumë nga femrat.

Prekja
Meshkujt kanë tendencë që të asociojnë prekjen me interesin seksual, më shumë sesa femrat, dhe si rrjedhojë meshkujt  e fillojnë  kontaktin me femrat shumë më shpesh se me meshkujt e tjerë (me përjashtim shtrëngimit të duarve). Femrat e shohin prekjen si shenjë të ngrohtësisë dhe miqësisë dhe kanë më shumë tendenca të dhe lehtësi të prekin femrat sesa meshkujt.

Afërsia Trupore
Femrat  në përgjithësi ndjehen më të rehatshme me një hapësirë të vogël mes të huajve dhe të njohurve në krahasim me meshkujt. Ndërsa burrat preferojnë ndërveprimin ballë për ballë, gratë kanë tendencë të ndihen më të rehatshme me komunikimin  krah-për krah. Megjithatë, dallimet në afërsi trupore ndryshojnë shumë më tepër edhe sipas kulturave të ndryshme.
 
Studimet e psikologëve kanë dalluar edhe ndryshime në strukturën e trurit të femrave dhe të meshkujve.

Dallimet mes femrave dhe meshkujve nuk janë vetëm të mirë-dokumentuara, por shpesh bëhen bazë shakash, anekdotash. Ekspertët kanë zbuluar se ka dallime në mënyrën strukturës së trurit të meshkujve dhe femrave, të cilat çojnë në reagime të ndryshme ndaj ngjarjeve dhe ngacmimeve.
1. Marrëdhëniet njerëzore. Femrat kanë tendencë për të komunikuar në mënyrë më efikase sesa meshkujt, duke u fokusuar se si të krijojë një zgjidhje që funksionin për gjithë grupin, duke folur përmes çështjeve, dhe duke përdorur mejte joverbale si tonin, emocion dhe ndjeshmëri ndërsa burrat priren të jenë më shumë të orientuar, më pak llafazane, dhe më shumë të izoluar. Burrat e kanë më të vështirë të kuptuarin e  emocionet  që nuk janë shprehur në mënyrë të qartë, ndërsa gratë priren t’i nuhasin emocionet dhe shenjat joverbale  emocionale. Këto dallime  shpjegojnë se pse burrat dhe gratë shpesh kanë vështirësi komunikimi dhe pse miqësitë mes meshkujve duken  të ndryshme nga miqësitë  mes femrave. 
 
2. Truri Majtas përballë dy hemisferave. Meshkujt  kanë tendencën të përpunojnë informacione më lehtësisht në hemisferën e majtë të trurit, ndërsa gratë priren për të proceduar në mënyrë të barabartë edhe  me të dyja hemisferat. Ky dallim shpjegon pse meshkujt janë zakonisht të fortë përpsa i përket aktiviteteve të zhvilluara në hemisferën e majtë të trurit si zgjidhjen e problemeve me një këndvshtrim të ngushtë ndërsa gratë zakonisht të zgjidhin problemet me një zhvillim më krijues dhe janë më të kujdeshme për ndjenjat e të tjerëve ndërsa komunikojnë me ta.

3. Aftësitë matematikore. Një zonë e trurit të quajtur lobi i poshtëm ballor  është zakonisht i dukshëm tek meshkujt, sesa tek femrat, sidomos në anën e majtë. Kjo pjesë e trurit ka aftësinë për të kontrolluar aftësinë mendore matematikore, dhe ndoshta shpjegon se pse meshkujt shpesh kanë aftësi matematikore më të mëdha sesa femrat. Interesant është fakti se, kjo është zona e njëjtë të trurit të Ajnshtajnit, e cila rezultoi të kishte përmasa jonormale. 

4. Reagimi ndaj stresit. Burrat kanë tendencë që bëjnë ose "luftën” ose apo fluturimin" si përgjigje të një situate të stresuar. Pra ose e përballin dhe e luftojnë ose e shmangin krejtësisht atë. Ndërsa gratë i përbalin  këto situata me një strategji tjetër "përpiqet dhe ndihmon". Psikologja Shelley E. Taylor ka shpikur shprehjen "perpiqet dhe ndihmon" pasi ka vlerësuar se femrat gjatë kohës që janë të  stresuara arrijnë të kujdesen për veten, për fëmijët e tyre, për miqtë. Arsyeja për këto reagime të ndryshme ndaj stresit është i rrënjosur tek hormonet. Hormoni  “oksitocin”  lëshohet tek të gjithë gjatë periudhave të stresuara. Megjithatë, estrogjeni ka tendencë për të rritur oxytocinën duke ndikuar në qetësimin dhe lehtësimin e ndjenjat kurse testosteroni, i cili tek meshkujt prodhohet në nivele të larta gjatë stresit, redukton efektet e oksitocinës.


5. Gjuha: Dy seksionet e trurit përgjegjëse për gjuhën janë më të mëdhenj tek gratë sesa tek burrat, duke treguar një arsye se femrat zakonisht shkëlqejnë në tematikat e të bazuara tek gjuha dhe në procesin gjuhë-shoqërues të të menduarit. Përveç kësaj, meshkujt zakonisht vetëm e  përpunojnë gjuhën në hemisferën e tyre dominuese, ndërsa grate e përpunojnë  gjuhën në të dy hemisferat. Ky dallim ofron një grimë e mbrojtjeje në rast të një goditje. Gratë mund të jenë në gjendje të rikuperohen më lehtëisht nga  nga një goditje që ka prekur zonat e gjuhës në tru, ndërsa meshkujt nuk mund të ketë këtë avantazh.

6. Emocionet. Femrat zakonisht kanë një sistem më të thellë limbik sesa meshkujt, e cila lejon që ato të jenë më shumë në kontakt me ndjenjat e tyre dhe më të afta për t’i shprehur ato, çka u jep më shumë mundësi për të komunikuar me të tjerët.   Për shkak të kësaj aftësie për të pasur lidhje, janë zakonisht femrat që punojnë si si kujdestare për fëmijët. Ana e poshtme e këtij sistemi  është gjithashtu pjesa që e çon një femër deri në depresion, sidomos gjatë kohës së ndërrimeve hormonale të tilla si pas lindjes apo gjatë ciklit menstrual të gruas.



Duke vlerësuar çfarë thamë më lart, arrijmë në përfundimin diferencat në komunikim mes femrave dhe meshkujve, vijnë jo vetëm si pasojë e kushteve historiko sociale, por edhe si pasojë e një ndërtimi të ndryshëm strukturor nervor, si dhe një ndryshimi gjenetik. Nëse një vajze të vogël do t'i jepje në dorë një foshnje të porsalindur ajo shumë lehtësiht do ta merrte në duar dhe do ta përkundtte. Nëse bën të njëjtin veprim me një djalë, do të shohim se ai, do të djersitej nga stërmundimi i mbajtjes së foshnjës. Por ajo që është e rëndësishme është fakti se edhe pse meshkujt dhe femrat kanë komunikim të ndryshëm, verbal dhe jo verbal, edhe pse shpesh herë krijohen keqkuptime në komunikimin mes tyre, studimet na ndihmojnë të kuptojmë më shumë gjininë e kundërt. Duke kuptuar sekretet dhe burimet e ndryshimeve të secilës gjini,  të dyja palët meshkujt dhe femrat, mund t'i shfrytëzojnë këto elementë, jo vetëm për të kuptuar personat me gjini të kundërt, por edhe për të pasuruar aftësitë komunikuese në nivele të ndryshme. Kështu diferencat në komunikim mes gjinive nuk mund të shihen veçse si vlerë dhe si pasuri, çka mund të ndihmojë për përmirësimin e mëtejshëm të komunikimit njerëzor.






















Bibliografi

Andersen, P. A., Hecht, M. L., Hoobler, G. D., & Smallwood, M. Nonverbal communication across cultures.  (2002).

Anglela H ficher. “Gender and emotion, Social psychological perspectives”.

Argyle, M. “Bodily Communication”,1988.
Elign, Suzette Haden. “Genderspeak: Men, Women, and the Gentle Art of Verbal Self- Defense”, 1993.
E.Kirchler, “Marital happiness and interaction in everyday surroundings: A time simple Diary Approach for cupples” Journal of Social and Personal Relationships 5 (1998) 
Hickson III, M. L., & Stacks, D. W. NVC “Nonverbal Communication Studies and Applications”. (1993).
 Knapp, M. L., & Hall, J. A. “Nonverbal Communication in Human Interaction. (2002).

HALL, J. A. “Male and Female Nonverbal Behavior”;

Tingley, Judith C. Genderflex: Men and Women Speaking Each Other's Language at Work.   1993.
Tannen, Deborah. You Just Don't Understand: Women and Men in Conversation, Books, 1990,  
Rebecca B. Rubin & Elizabeth E. GrahamCommunication correlates of college success: An exploratory investigation” 1998

Richmond, V. P., & McCroskey, J. C. Nonverbal Behavior in Interpersonal Relations. 2004.

Rita Carter, Susan Aldridge, Martyn Page, Steve Parker, “The Human Brain Book”, 2009

 Shelley E Taylor , ”Health Psychology”, 1998








Punoi: J.Azizaj



Friday, March 17, 2017

Tema: Komunikimi joverbal: Dallimet dhe të përbashkëtat mes kulturave të ndryshme botërore.



Tema:
Komunikimi joverbal:
Dallimet dhe të përbashkëtat mes kulturave të ndryshme botërore.


Ekzistenca njerëzore karakterizohet nga një veti tepër e rëndësishme, falë së cilës njeriu  jeton, zhvillohet, përparon. Po flasim për komunikimin, i cili është baza e zhvillimit njerëzor. Ekzistojmë shumë përkufizime për këtë fjalë, pro më i thjeshti është: “Komunikimi është ndërveprimi mes dy njerëzve, ose dy grupeve ose 'procesi i transferimit të një informacioni nga njëri entitet tek tjetri' (Dhima, A. Leksione, Antropologji Komunikimi)”. Për të pasur komunikim duhet pra së paku dy subjekte, të cilat përcjellin informacion tek njëri tjetri, me atë të fjalëve, shkrimit apo shenjave. Komunikimi zhvillohet mes dy mënyrave, komunikimit verbal dhe jo verbal. Në komunikimin verbal përfishihen fjala, toni i zërit, kënga. Ndërsa në komunikimin jo verbal perfshihen mjetet jo verbale ose e ashtuquajtura gjuha e trupit, e shenjave, kontakti me sy, me prekje, etj.
Edhe pse komunikimi verbal është tepër i studiuar dhe gjithë vëmendja është fokusuar nga fusha të ndryshme duke filluar që nga gazetaria, qeverisja dhe argëtimi, fakt i rëndësishsëm është se qeniet njerëzore komunikojnë më shumë me anë të gjuhës joverbale. Logjika “fshihet” jo vetëm në fjalët, por edhe në komunikimin joverbal: gjeste, mimikë, gjuhë e trupit, të cilat, jo vetëm mund ta plotësojnë gjuhën e folur, por shpesh bëhen vetë bartës të logjikës së saj (M.L. Knapp & J.A. Hall, 2005). Sipas sociologut antropologjist Edwart Hall, e ashtuquajtura gjuha e trupit arrin deri në 65 % të komunikimit njerëzor. Po, sipas tij, komunikimi joverbal është gjithashtu i lidhur me kulturën. Në veçanti ka shumë diferenca mes kulturave dhe kombësisve, përsa i përket vlerës që secili prej tyre i jep fjalës përballë heshtjes, vlerës relative të të folurit përbalë veprimit, apo rolit social të thashethemeve. Duke marrë parasysh këto diferenca komunikimi joverbal duhet parë brenda kontekstit social dhe kulturor.                                                             
Kjo ese do të përqëndrohet në diferencat e komunikimit joverbal në kultura te ndryshme si dhe në rëndësinë e këtij komunikimi. Zakonisht studiuesit e ndajnë komunikimin jo verbal në disa kategori:
Gjuha e trupit e cila përfshin lëvizjen fizike. Trupi merr aftësinë e të folurit si një e tërë e ndarë në pjesë specifike, fytyra në mënyrë të veçantë, duart dhe këmbët. Gjithashtu në gjuhën e trupit përfshihet edhe pozicioni i qëndrimit, i të ulurit, po ashtu si dhe shprehja e syve e fytyrës, ku mund të përmendim ngirtjen e një vetulle, apo rrutullimin e syve.  Për shembull një person me orgjinë mesdhetare mund të përdorë lëvizje të tepruara të duarve dhe gjeste me trup, si një shprehje të nevrikosjes, ndërsa një person me origjinë nga Japonia ndoshta mund të duket në makje të parë më i qetë, por në të vërtetë edhe ai është i nevrikosur. Gjuha e trupit përfshin gjithashtu edhe të qeshurën, zgërdhitjen, të qeshurën nën hundë, etj Ndërsa në një pjesë të mirë të kulturës botërore e qeshura shpreh gëzim, në disa kultura të tjera ajo bëhet një maskë për të fshehur dhimbjen apo turpërimin.
Gjuha e trupit zakonisht nuk ka një sistem gjuhe me strukturë dhe gramatikë si gjuha e folur, por ajo shoqërohet me shenja, veprime fizike të cilat mbështesin ose përforcojnë atë çfarë është thënë verbalisht
Disa simbole duket sikur janë universale, ndërsa të tjera janë kulturore, me interpretime të ndryshme në varësi të kulturave të ndryshme, ose me kuptimësi të ndryshme nga femrat dhe meshkujt. Një shembull i një simboli universal është ngritja e supeve dhe hapja e duarve, çka do të thotë "Unë nuk e di", pothujase ne të gjithë botën. Ndërsa një simbol që lexohet në varësi të kulturës, është gishti i madhe i dorës i bashkuar me gishtin tregues në formë rrethi. Kjo shenjë tregon “po” në Shtetet e Bahskuar, para në Janoni, një sharje në kulturën arabe si dhe në atë shqiptare, një gjest të turpshëm në Gjermani, Brazil dhe Australi.

Kontakti i syve është gjithashtu i lidhur me gjuhën e trupit. Kjo ka të bëjë me vlerësimin e aktivitetetit të syrit si një element i komunikimit. Shumë aspekte të këtij mjeti të komunikimit merren me studimin e vështrimit të ngulët përballë atij të lëvizhëm. Kështu kontakyi i syve bëhet subjekt i shumë interepretimeve të subjektit që vlerësohet, duke e bërë të vështirë për të parashikuar impaktin e saktë të komunikimit. Në vendet perëndimore kontakti i drejtëpërdrejtë i syve (ta shohësh drejt e në sy personin përballë) është një gjest i zakonshëm i njerëzve që flasin deri në masën e 40 %, dhe shkon deri në 70 % tek ata janë duke dëgjuar. Vështrimi në sy, shpreh përkrahje në vendet e Amerikës, Kanadasë, si dhe në Evropë.
Në Japoni është më e përdorur të shohësh gushën e personit që ke përballë. Në Kinë dhe Indonezi, është traditë ulja e syve, sepse ta shohësh tjetrin në sy, konsiderohet si sjellje e pahijshme. Po kështu edhe në shumicën e zonave të Azisë dhe Afrikës.
Në kulturën spanjolle kontakti i drejtpërdrejtë i syrit është një formë sfide apo çnderimi i tjetrit. Në kulturën Arabe është e zakonshme që të dyja palët, folësi dhe dëgjuesi të shihen në sy për një kohë të gjatë, duke treguar interes të veçantë për bashkëbiseduesin. Në shoqërinë mesdhetare shpesh meshkujt i shohin femrat per një kohë të gjatë, gjest që nga femrat e kulturave të tjera mund të shihet si ngacmim. Madje i njëjti veprim i syrit, mund të interepretohet në mënyra të ndryshme: për shembull, përplasja e qepallave gjatë bisedimit lexohet në mënyra të ndryshme, shmangje, pasinqeritet, madje edhe mërzi.
          Shkelja e syrit, në Amerikë dhe në Evropë, tregon ndarjen e një sekreti. Flirtim në vende të tjera. Sytë e mbyllur, në Amerikë shihen si përgjumje ose si mërzitje nga biseda. Ndërsa në japoni, kinë, Tajlandë ka kuptimin “Po të dëgjoj dhe jam i përqëndruar”. Ngritja e vetullës, do të thotë po në Tajlandë dhe në disa qytete aziatike. Në vendet Filipine do të thotë “Po”.
      

Fytyra: Shprehja e fytyrës reflekton emocione, ndjenja, qëndrim. Kjo është normale për të gjitha kulturat perëndimore, ato mesdhetare, si dhe të vendeve të Amerikës së Veriut. Por popujt aziatikë karakterizohen nga një fytyrë pa emocione, ose me emocione të përziera e të pakuptueshme.

Veshët: Kapja e veshit, në disa zona të Indisë lexohet “Më vjen keq”.
Vendosja e dorës pas veshit, pothuajse në të gjitha shoqëritë do të thotë “Nuk po të dëgjoj”. Tërheqja e veshit, në fiset Navajo në Indi, do të thotë “Ti je në zemrën time”
Hunda: Mbajtja e hundës me dorë, në gjithë botën nënkupton “se po mban erë e keqe”. Prekja e hundës, në Angli do të thotë “është kofidenciale”. Ndërsa në Itali “Kij kujdes”.
Buzët dhe goja. Mund të fërshëllijmë, buzëqeshim, kafshojmë, tregojmë, puthim, gogësijmë.
Puthja. Në disa vende në Azisë puthja konsiderohet një gjest intim seksual dhe nuk është i lejuar në publik, as si një formë takimi mes njerëzve.
Zhurma e puthjes. Në Filipine përdoret për të tërhequr vëmendjen. Në Meksikë për të thirrrur kamarierin.
“Puthja e tre gishtave të dorës, e më pas ngritja e tyre në ajër” Gjesti përdoret zakonisht në Francë, Spanjë, Greqi dhe Gjermani, si një formë shprehjeje. Ka kuptimin seksi, shumë e mirë, e mrekullueshme.

Duart: Në gjithë tërësinë e pjesëve të trupit që përfshihen në procesin e komunikimit joverbal, duart, ndoshta përbëjnë një nga mjetet më tepër të përdorura gjatë këtij komunikimi.
Tundja e dorës në ajër, përdoret për përshëndetje, dhënie lamtumire, ose shenjë që i bëhet dikujt për të ardhur më pranë.
Por gjesti me duar “mirupafshim” i italianëve mund të interpretohet nga amerikanët si “Hajde këtu”. Ndërsa “mirupafshim” i amerikanëve në shumë vende të Evropës dhe në Amerikën Latine mund të lexohet si një “jo”
Shtrëngimi i duarve është një formë përshëndetjeje, e cila përdoret më shumë në kulturat evropiane. Në Lindjen e Mesme përshëndetja kryhet vetëm me anë të një përkuljeje të lehtë. Ndërsa në pjesën më të madhe të vendeve aziatike lejohet përkulja e lehtë e cila duhet të shmangë shikimin në sy.
Dora e djathtë: në disa shoqëri dora e djathtë ka kuptimësi të veçanta. Përs shembull në disa zona të Lindjes së Mesme dhe në Azi, është mirë që me këtë dorë të të prezantosh kartat e biznsesit apo të japësh dhuratat, të kalosh pjatat apo ushqimit, të tërheqësh vëmendjen duke përdorur vetmë dorën e djathë.
Dora e majtë konsiderohet si jo e pastër në mjesën më të madhe të vendeve të Lindjes së Mesme, Indonezi, Turqi.
Gishtat: të tregosh me gishtin tregues është një gjë e zakonshme të Amerikën Veriore dhe në Evropë. Por kjo përbën një gjest të pahijshëm në Japoni dhe në Kinë, ku preferohet të përdoret e gjithë dora e hapur. Në Malajzi përdoret gishti i madh për të treguar sendet ose njerëzit.
Këmbët: Në Azi, nuk duhet të ulesh këmbë mbi këmbë dhe t'u tregosh bashkëbiseduesve shollin e këpucëve të tua.
Në Azi, dhe në disa vende të tjera Europiane të vendosësh këmbët mbi një tavolinë ose në ndonjë pjesë tjetër të mobiljeve është gjest i pahijshëm dhe që ofendon bashkëbiseduesin.    Në Shqipëri, përveç kësaj merret edhe si shenjë arrogance dhe mendjemadhësie. Ulja me këmbët e kryqëzuara, është një gjë e zakonshme ntë Amerikën e veriut dhe në disa vende të Euopës, ndërkohë që është një gjest tepër i pasjellshëm në vende të tjera të botës. Në vendin tonë, gjithmonë na është mësuar që nuk duhet ndenjur këmbë mbi këmbë përpara më të rriturve, përpara mësueve dhe përpara të moshuarve sepse tregon shenjë mosrespekti.

Distanca, është një tjetër mejet i komunikimti joverbal, me të cilën duhet të nënkuptojmë hapësirën e përdorur në një situtuatë komunikimi. Një aspekt i këtij mjeti është afërsia mes personave ndërsa ata flasin, si dhe roli i rëndësishëm që kultura luan në këtë pikë. Me distancë zakonisht nënkuptojmë vijën nga hapësira intime (0 dhe 20 cm) në hapësirën personale apo infomale (20 cm deri në 1 m), tek distanca sociale (3.5 deri në 12 m), dhe ne fund distanca publike (mbi 12 m. Distanca gjithashtu studion edhe efektivitetin e hapësirës në cështje sociale, si për në shtëpi apo zyra, aranxhimi i hapësirës si mjet për inkurajuar apo për ta frenuar komunikimin. (Hall, E.T. 1966).
Prekja. Kjo është një element i komunikimit, i cili matet jo vetëm me vazhdimësinë e prekjes por edhe intesitetin e saj. Si shumë elementë të tjerë të komunikimit jo verbal, edhe prekja është shumë e lidhur me kulturën e një vendi. është vënë re se kulturat e vendve mesdehtare, vendeve latino amerkane dhe lindja e e mesme janë të prirur të kenë prekje gjatë bisedimit, duke përfshirë këtu kapjen dorë më dorë dhe përqafimin, duke bërë që këto të quhen kultura me prekje të mëdha.
Në kultura të tjera, si Amerika e Veriut apo Europa veriore, e prekura përdoret vetëm rastësisht, si në dhënien e dorës gjatë një prezantimi, apo një takimi; në prekjen e supit apo, në prekjen e shipinës, duke bërë që këto të quhen kultura me prekje të mesme.
Në kulturat e vendeve të Azisë veriore, e prekura gjatë bisedimit pothujase nuk ndodh asnjëherë. Popujt ne vendet aziatike, të Filipineve bëjnë ndryshim sepse e përdorin prekjen gjatë bisedimit. Por edhe brenda një kulture ka ndryshime. Për shembull, shtrëngimi i durave, ndryshon në gjatësinë e bashkimit të duarve, si dhe në forcën e shtrëgimit, çka varet nga afërsia dhe intimiteti që dy njerëz kanë, apo që duan të krijojnë.

Zëri, ose i quajtur ndryshe (para gjuha), ka të bëjë me thirrjet, pasthirrmat, konkretisht ajo që quhet aftësi jofonemore të gjuhës. këtu përfshihen, theksi, zëri i lartë, lartësi, ritmi, toni hundor. Zëri zakonisht ndahet në disa kategori. Karakteristikat e zërit përfshijnë të qeshurën, të qarën, gogësimën, e të tjera të kësaj natyre. Edhe këto elementë janë zakonisht shumë të lidhur me kulturat e vendeve të ndryshme, si përshembull mënyra e ndryshme sesi disa kultura e shohin elementin e gromësitjes pas të ngrënit. Edhe elementët cilësues të zërit si volumi, ritmi, toni shfaqen ndryshe, në kultura të ndryshme. Në kulturën arabe për shembul, e folura me zë të lartë tregon sinqeritet, ndërsa në Amerikën e veriut, shpesh intrpretohet si agresivitet. Gjithashtu edhe pasthirmat si hë-hë mm, oo, kanë kuptim të ndryshëm në kultura të ndryshme.  Ritmi i zërit i cili përcakton edhe shpejtësinë me të cilët njerëzit flasin,është një tjetër faktor i cili gjen shpjegime të ndryshme. .
Kronemiksi, ka të bëjë me përdorimin e kohës si një element komunikimi. Koha formale matet me minuta, orë, ditë, etj. Koha infromale matet me stinët, rite sociale, cikle hënore, etj. Ky element kronomiksi përshin përbërës të tillë si përpikmëria, ose me pikëpamjen e shoqërive lidhur me disa aktivitete sociale, si për shembull është tipike e amerikanëve të mbërrinë përpara kohë në një takim biznesi, ndërkohë që u pëlqen të mbërrijnë me pak vonesë të aktivitete sociale. Ndërsa në Amerikën latine dhe kulturën arabe, personat që merren me biznes zakonisht mbërrijnë në kohën e caktuar, ç ka për perëndimorët është “vonë”.
Ndërkohë në gjuhën Sioux, (gjuhë indigjeneve të amerikës) nuk ekziston fjala “vonë” çka reflekton një qasje tepër të ngeshme përkundër kohës.
Kronemiksi gjithashtu përfshin edhe një element tepër të rëndësishëm për gjuhën joverbale, që është monokronemiksi (të bësh një verpim të vetëm në një kohë) si dhe polikronemiksi (të bësh disa veprime në të njëjtën kohë). Studimet tregojnë se biseda monokronemike është tipike për vendet e Europës veriore, dhe Amerikës veriore. Ndërsa vendet e Amerikës Latine, të Lindjes së Mesme dhe vendeve mesdhetare, zakonisht kanë tendencën të zhvillojnë biseda polikronemike, pra duke bërë biseda të ndryshme të njëjtën kohë, dhe ndërprerje të shpeshta mes dy biseduesve. Konkretisht shqiptarët, janë polikronemikë, pasi siç kemi vënë re të gjithë, shumë shpesh flasin për shumë gjëra në të njëjtën kohë, dhe kanë një tendencë të fuqishme për të ndërprerë bashkëbiseduesin.
Hapësira - Ambjenti merr vlera komunikuese, duke vlerësuar hapësirën fizike, si përshembull madhësinë e një një dhone, ngjyrën, vendndodhjen. Njerëzit e biznesit i kushtojnë rëndësi të veçantë madhësisë së tavolinës, madhësisë së zyrës. Zakonisht presupozohet se njerëzit më të rëndësishëm të një kompanie, apo insitucioni, i kanë zyrat e tyre në katet më të larta. Në Shqipëri pothuajse në të gjitha insitucionet qeveritare, zyrat e ministrave apo drejtuesve të tjerë të institucionit janë gjithmonë në katin e dytë, ose të tretë, dhe padyshim që kanë zyrën me hapësirë më të madhe.

Komunikimi joverbal i ndihmon njerëzit dhe grupet shoqërore të prezantojnë mesazhet e tyre.
Disa nga funksionet e komunikimit joverbal
  1. Të krijojë përshtypje përtej elementëve të komunimit verbal.
  2. Të përsërisë dhe të përfocojë atë që është thënë gojarisht.
  3. Të rregullojë dhe stabilizojë ndërveprimin mes pjesëtarëve të një ndërveprimi komunikues.
  4. Të shprehë emocione dhe ndjenja përtej elementëve të komunikimit verbal.
  5. përçojë mesazhe relative, si mesazhe dhimbsurie, pushteti, fuqie, respekti, etj
  6. Të përkrahë komunikimin e ndershëm duke zbuluar hiletë ose mesazhe dyshuese.
  7. Të krijoj grupe ose lider socialë duke dërguar mesazhe pushteti dhe bindjeje.

Përfundime
Njerëzit komunikojnë nëpërmjet një rradhe të tërë sjelljeje e cila është e pastudiuar, por që e shohim si të gatshme. Ky proces zhvillohet në padijeni të ndërgjegjes sonë dhe krah për krah fjalëve. Zakonisht ajo që njerëzit bëjnë me veprime, është më e rëndësishme se ajo çfarë thonë me fjalë. Megjithatë ne jetojmë në botën europiane ku 'fjala është gjithçka dhe jemi të prirur të mos e shohim superioritetin e gjuhës së sjelljeve mbi komunkimin verbal. Edhe pse është gjuha ajo që e formëson mendimin, sisteme të tjera kulturore i japin një rëndësi të madhe vëzhgimit dhe studimit të gjuhës joverbale.
Kultura mund të përkufizohet si “mënyra e jetesës së një populli, një shumatore e sjellljeve të tyre të mësuara, modele, zakone dhe gjëra materiale. Kultura kontrollon sjelljen thellësisht dhe në mënyra këmbëngulëse, mënyra të cilat janë jashtë vetëdijes sonë, dhe jashtë aftësisë sonë për t'i kontrolluar. Atropologu Edwart T Hall tenton t'i sjellë këto modele në vetëdijen tonë. Pikërisht libri “The silent Language” servir dy lloj kulturash, teorinë e kulturës, dhe teorinë sesi kultura erdhi dhe e bë e tillë. Çelësi kryesor i kësaj teorie është se ne duhet të mësojmë të kuptojmë se nga vijnë aspektet e pavetdijshmë të komunkimit. Sfida e vërtetë nuk është të njohim kulturat e të tjerëve, por të njohim kulturën tonë: kështu atë që e marrim dhe e shohim si të gatshme, ta nxjerrim në perspektivë.
Kultura nuk është e mbivendosur mbi njerëzimin, por është njerëzimi ai që mbizotëron gjithçka. Kultura është kanali mes qënieve njerëzore dhe mjeteve që ata kanë për të ndërvepruar me të tjerët. Duke zgjeruar kuptimin mbi shtysat që kanë formuar dhe që kontrollojnë jetën tonë, ne mund të mësojmë se kush jemi dhe ku jemi. Kjo mund të na ndihmojë të njohim më së miri veten tonë dhe të përmirësojmë komunikimin me të tjerët.





Bibliografi


Axtwell,R.E. “Gestures: the Do's and Taboos of Body Language Around the world”, New York. 1991
Dhima, A. “Leksione Antropologjie, studimet master”  Tiranë, 2012
HALL, E.T. The Hidden Dimension. New York. 1966, id HALL, E.T. “The silent language” New York: Doubleday, 1959; id. “Beyond culture” New York: Doubleday, 1976.
KNAPP. M.L. & J.A. HALL “Nonverbal Communication in Human Interaction” Belmont-CA: Wadsworth, 2005
(6th ed).

ME: Intercultural Press. “Intercultural communication: A current perspective. In Milton J. Bennett (Ed.), Yarmouth, http://www.mairstudents.info/intercultural_communication.
Missana, S. “The grip of culture: Eduart Hall The silent Language” www.ishk.net/hall.pdf